341764526_192626206870682_4334200786108341314_n

Ermal Dredha hap fushatën për Kryetar Bashkie në Vlorë, më shumë se 1000 pemë do i dhurohen qytetit

Ditën e sotme, Ermal Dredha, kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Vlorës, ka nisur zyrtarisht fushatën elektorale të zgjedhjeve të 14 Majit. Në vijim të nismës së Partisë Socialiste për një fushatë me pak shpenzime dhe miqësore ndaj mjedisit, Dredha së bashku me kandidatët e PS për anëtar të këshillit bashkiak dhe gazetarët lokalë ka nisur mbjelljen e pemëve në qytet.

Gjatë fjalës së tij, Dredha theksoi rëndësinë e kësaj qasjeje të re ndaj fushatës politike. “Kemi nisur sot me mbjelljen e pemëve, duke vijuar me frymën e Partisë Socialiste, për të bërë një fushatë qytetare, transparente, pozitive dhe për më tepër, pema nuk vendoset pa qëllim”, tha ai.
“Pema simbolizon jetën, vazhdimësinë dhe kjo është motoja e Partisë Socialiste. Le të ecim përpara të gjithë së bashku duke u shërbyer qytetarëve dhe duke vënë në pah të gjitha të mirat që Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama kanë bërë për Vlorën dhe gjithë Shqipërinë.”

Krahas kandidatëve të Këshillit Bashkiak, duke vlerësuar punën e palodhur të gazetarëve, Dredha ftoj dhe gazetarët lokalë të qytetit të cilët u bashkuan me nisëmn duke mbjellë gjithashtu në mënyrë simbolike pemën e tyre.

Aktiviteti i sotëm me mbjelljen e pemëve të para shënon fillimin e një fushate që do të fokusohet në nisma konkrete për problemet e përditshme të qytetarëve, dëgjimin e nevojave si dhe shpalosjen e një vizioni për Vlorën e të ardhmes.

Partia Socialiste do të dhurojë për Bashkinë e Vlorës mbi 1000 pemë të llojeve të ndryshme të cilat do të mbillen gjatë fushatës në hapësirat e qytetit dhe njësisë administrative të Bashkisë Vlorë.