Ermal Dredha, kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Vlorës u takua me banorët e Rajonit 1 në qytetin e Vlorës. Gjatë takimit Dredha theksoi angazhimin e tij për përmirësimin e infrastrukturës së lagjeve.
Gjatë fjalës së tij Dredha theksoi domosdoshmërinë për përmirësimin e infrastrukturës në lagjen “4 Heronjtë”. Ai deklaroi se nuk është thjesht një premtim, por një detyrim për Bashkinë që të rregullojë sa më shpejt rrugët në këtë zonë. Dredha siguroi se si ai ashtu edhe e gjithë administrata e Bashkisë do të jenë të përkushtuar në përmbushjen e këtij detyrimi.
“Jam shume falënderues që ju shoh të shumtë në numër, ashtu si dhe Partia Socialiste nuk është vetëm në Vlorë por në të gjithë Shqipërinë. Jemi gjithmonë të parët.”- tha Dredha
“Kam qenë tek lagjja “4 Heronjtë”, është detyrim jo premtim, detyrim i Bashkisë që ato rrugë të bëhen sa më shpejt dhe ky është premtimi i Ermalit dhe i gjithë administratës së Bashkisë.”- vijoi ai.
Gjithashtu, Dredha foli edhe për problematikat me të cilat përballen banorët e rrugës Partizani, veçanërisht për fasadat e rrënuara të ndërtesave. Ai zbuloi planet për të nisur një projekt rehabilitimi për të sistemuar pamjen e zonës.
“Edhe te rruga “Partizani” ka probleme tek fasadat e pallateve, për të cilat do të fillojmë një projekt që ti rehabilitojmë, ashtu siç i ka hije asaj lagjeje” – u shpreh Ermal Dredha.
Dredha në fjalën e tij theksoi gjithashtu rëndësinë e krijimit të hapësirave rekreative për fëmijët dhe të moshuarit, duke u zotuar se do të bëjë gjithçka që ka për të siguruar jetësimin e tyre.
“Ne do të bëjmë maksimumin që të ketë hapësira argëtimi për fëmijët dhe për moshat e treta, të cilët të kenë mundësinë të argëtohen. Vlora duhet të jetë e të gjithëve, duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe për këtë unë premtoj që çdo funksionar i bashkisë do të japë maksimumin.” – përfundoi kandidati i Partisë Socialiste për Vlorën.